Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, po i bëjnë presion NATO-s që të reduktojë ndjeshëm aktivitetet jashtë territorit tradicional, përfshirë përfundimin e një misioni kyç të aleancës në Irak, kanë thënë katër diplomatë të NATO-s për “POLITICO”.
Sipas tyre, SHBA-ja ka lobuar muajt e fundit edhe për zvogëlimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), si dhe që Ukraina dhe partnerët e Indo-Paqësorit të mos marrin pjesë zyrtarisht në samitin vjetor të aleancës që do të mbahet në korrik në Ankara.
Kjo nismë pasqyron përpjekjen e Shtëpisë së Bardhë për ta trajtuar NATO-n si një pakt strikt euroatlantik të mbrojtjes dhe për të zhbërë dekada zgjerimi drejt menaxhimit të krizave, partneriteteve globale dhe iniciativave të bazuara në vlera – fusha që prej kohësh kanë irrituar presidentin amerikan dhe bazën e tij politike MAGA (Bëjeni Amerikën përsëri të madhe).
Brenda NATO-s, kjo qasje është quajtur “kthim në misionin themelor”, duke nënkuptuar kufizimin e aktiviteteve “jashtë zone” që tejkalojnë detyrat thelbësore të mbrojtjes dhe parandalimit.
Presion për t’u tërhequr nga Iraku
NATO-ja aktualisht mban mision këshillimor në Irak, që synon forcimin e institucioneve të sigurisë dhe parandalimin e rikthimit të Shtetit Islamik. Ky mision u krijua gjatë mandatit të parë të Trumpit në vitin 2018 dhe është zgjeruar disa herë që nga viti 2021, me kërkesë të Bagdadit.
Sipas diplomatëve, Washingtoni ka kërkuar që misioni të përfundojë që në shtator. Paralelisht, SHBA-ja pritet të tërheqë rreth 2,500 ushtarë nga Iraku në kuadër të një marrëveshjeje të vitit 2024 me qeverinë irakiane, si pjesë e angazhimit të Trumpit për t’i dhënë fund “luftërave të pafundme”.
Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se tërheqja e NATO-s dhe SHBA-së mund të fuqizojë grupet e milicive dhe të destabilizojë rajonin, përfshirë Kurdistanin verior.
Megjithatë, brenda aleancës ka kundërshtime. Sipas diplomatëve, shumica e vendeve anëtare janë të hapura për zvogëlim gradual të misionit, por jo për përfundim të shpejtë.
Diskutime të hershme për zvogëlimin e KFOR-it në Kosovë
Më shqetësuese për aleatët evropianë është sinjalizimi i SHBA-së për të reduktuar praninë e NATO-s në Kosovë. Misioni paqeruajtës KFOR, i autorizuar nga OKB-ja dhe i vendosur në vitin 1999 pas luftërave në ish-Jugosllavi, aktualisht numëron rreth 4,500 trupa.
Engjëllushe Morina, bashkëpunëtore e lartë e politikave në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, ka thënë se misioni mbetet “i domosdoshëm” për sigurinë rajonale.
“Nëse NATO-ja tërhiqet, kjo mund t’i inkurajojë separatistët serbë në veri të Kosovës dhe të ketë efekt zinxhir në rajon, përfshirë Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë ajo.
Një diplomat i lartë i NATO-s ka thënë se ekziston shqetësim serioz, pasi “gjërat në Ballkanin Perëndimor mund të përshkallëzohen shpejt”.
Megjithatë, zyrtarë të NATO-s theksojnë se nuk ka asnjë afat kohor për përfundimin e misionit në Irak apo për KFOR-in dhe se çdo vendim kërkon miratimin e të 32 vendeve anëtare.
Presion për përjashtimin e Ukrainës dhe partnerëve të Indo-Paqësorit
SHBA-ja po ushtron gjithashtu presion që Ukraina dhe katër partnerët zyrtarë të NATO-s në Indo-Paqësor – Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut – të mos ftohen në takimet formale të samitit të korrikut në Ankara. Sipas diplomatëve, kjo argumentohet si përpjekje për të reduktuar numrin e takimeve dhe për ta fokusuar samitin në çështjet “thelbësore” të NATO-s.
Një vendim i tillë do të sinjalizonte një përqendrim më të madh në çështjet bazë të aleancës, duke lënë në plan të dytë partneritetet globale.
Po ashtu, NATO-ja ka vendosur të mos organizojë Forumin Publik këtë vit – një aktivitet paralel që zakonisht rrit dukshmërinë e samitit dhe përfshin liderë, ekspertë të mbrojtjes dhe zyrtarë qeveritarë. Zyrtarisht, kjo lidhet me kursime buxhetore, por disa diplomatë besojnë se pas vendimit qëndron indirekt presioni amerikan për të reduktuar financimin e organizatave ndërkombëtare.
Sipas kritikëve, në një kohë kur NATO-ja përpiqet të bindë opinionin publik për rëndësinë e aktiviteteve të saj dhe rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes, kufizimi i komunikimit publik mund të jetë i dëmshëm.






























