Prokuroria Themelore në Gjakovë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet M.I., i dyshuar për veprën penale të fajdesë.

Sipas njoftimit, kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega Rahovec, pasi Prokuroria ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të dyshuarit.

Prokuroria bën të ditur se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri, që nga qershori i vitit 2024 dhe në vazhdimësi në Rahovec, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit me inicialet H.F.

Sipas hetimeve, i dëmtuari, për shkak të nevojës për mjete financiare për shërim, kishte marrë 7 mijë euro borxh nga i dyshuari, ndërsa obligohej të paguante nga 700 euro në muaj si kamatë. Deri në momentin e inicimit të hetimeve, ai kishte paguar gjithsej 14 mijë euro në emër të kamatës.

Ngjarja kulmoi më 21 shkurt 2026, kur i dyshuari u arrestua nga policia gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore, teksa po pranonte shumën prej 700 euro nga i dëmtuari.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I njëjti, që nga 21 shkurti 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit për 48 orë, ndërsa pritet vendimi i gjykatës lidhur me kërkesën për paraburgim.

Related Posts