E moshuara endet derë më derë në Fushë Kosovë, emergjenca refuzon të vijë pa ndërhyrjen e policisë
Një ngjarje tronditëse që ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e shërbimeve emergjente ka ndodhur mbrëmjen e fundit në Fushë Kosovë.
Një grua mbi 70 vjeçare, e cila jeton e vetme, në gjendje të rëndë shëndetësore është detyruar të kërkojë ndihmë duke trokitur në derën e fqinjës më të afërt, duke thënë se ndihej sikur po vdiste dhe duke kërkuar që të thirrej menjëherë ndihma e shpejtë.
Fqinjët kanë kontaktuar urgjencën, mirëpo sipas dëshmitarëve, nga ana e tyre ka pasur refuzim dhe arsyetime se nuk mund të vinin, madje janë dhënë sugjerime që e moshuara të dërgohej vetë në spital.
Banorët e revoltuar tregojnë se situata u bë edhe më absurde, pasi vetëm pas thirrjes së policisë dhe kërkesës për intervenim, ekipi i ndihmës së shpejtë ka dalë në vendngjarje, dhe kjo, sipas tyre, ka ndodhur me shumë vonesë dhe pa gatishmëri.
Rasti ka shkaktuar zemërim te banorët, të cilët thonë se është e papranueshme që një person i moshuar të endet derë më derë për ndihmë dhe që shërbimi emergjent të reagojë vetëm pas presionit nga institucionet e rendit.
Ngjarja ka hapur debat mbi përgjegjësinë e institucioneve publike dhe mbi sigurinë e qytetarëve, sidomos të moshuarve që jetojnë vetëm dhe varen nga reagimi i shpejtë i shtetit.























