Kryeministri Albin Kurti ka theksuar angazhimin e Kosovës për të vazhduar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes një njohjeje të ndërsjellë.
Ai ka bërë këtë deklaratë në një postim në X, pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, të cilin e priti të hënën.
Në postimin e tij, Kurti theksoi se biseda me Sorensen u përqendrua në procesin e integrimit evropian të Kosovës, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai gjithashtu shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për një normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke kërkuar njohjen reciproke.
“Dje, prita Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Diskutuam për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, Sorensen u takua edhe me ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, ku u diskutua se dialogu me Serbinë do të udhëhiqet nga ministria që ai drejton.






















