Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipëri, Elisa Spiropali.

Duke falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme, Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri janë vëllazërore dhe njëkohësisht strategjike, të natyrshme e të pazëvendësueshme, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të rregullt politik dhe diplomatik në të gjitha nivelet.

Presidentja Osmani dhe ministrja Spiropali, ndër të tjera  diskutuan edhe për pjesëmarrjen e Kosovës dhe Shqipërisë si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, duke vlerësuar se kjo platformë i afron të dy vendet edhe më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët strategjikë globalë, si dhe rrit profilin e tyre ndërkombëtar dhe rolin si kontribuuese në paqe e siguri globale.

Sa i përket bashkëpunimit në politikën e jashtme, Presidentja Osmani diskutoi për koordinim të vazhdueshëm diplomatik për njohjet e reja, mbështetjen në organizata ndërkombëtare si NATO, Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, si dhe për fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Presidentja Osmani rikonfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet thelbësor për avancimin e interesave të përbashkëta strategjike dhe për forcimin e rolit të dy vendeve në paqe, siguri dhe stabilitet rajonal e global.

Related Posts