Pak para iftarit, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka zhvilluar një takim me pronarët e bizneseve ndërtimore, të cilave ditë më parë ua kishte pezulluar punimet në disa projekte në territorin e komunës.

Në këtë takim, siç ka mësuar IndeksOnline, atyre u është kumtuar lajmi se mund të rinisin punimet që nga e hëna, pasi pezullimi ka qenë i përkohshëm dhe me qëllim të verifikimit të dokumentacionit dhe përputhshmërisë ligjore të projekteve.

Sipas burimeve nga takimi, kryetari Prebreza ka theksuar se ndërprerja e aktiviteteve ndërtimore nuk ka pasur për qëllim bllokimin e investimeve apo dëmtimin e bizneseve, por sigurimin e zbatimit të plotë të ligjit dhe respektimin e planifikimit hapësinor.

Pronarët e kompanive ndërtimore kanë mirëpritur vendimin për rifillimin e punimeve, duke u shprehur se kjo u jep mundësi të përfundojnë objektet brenda afateve të parapara dhe të shmangin vonesat e mëtejme që do të mund të shkaktonin pasoja financiare.

Kujtojmë se një ditë më parë, Komuna e Fushë Kosovës kishte pezulluar mbi 20 projekte ndërtimore, pas anulimit të Vendimit nr. 641 të datës 14.06.2023, që kishte të bënte me kompensimin e shpronësimit përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit. Si pasojë, mijëra punëtorë kishin mbetur përkohësisht pa punë, ndërsa kompanitë kishin paralajmëruar ankesa dhe pasoja të mundshme ligjore.

Me vendimin e ri, pritet që nga nesër kantierët e ndërtimit në Fushë Kosovë t’i rikthehen normalitetit, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë kushte apo mekanizma shtesë mbikëqyrës për projektet në vijim.

Related Posts