Artikulli i botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të Serbisë nuk është manifest i dy burrështetasve për anëtarësim në BE, as zotim për reforma, por një elegji e dy hallexhinjve që realisht heqin dorë nga ambicia e madhe për shkak se e dinë që në këtë rrugë ata janë pengesa më e madhe si pasojë e skandaleve të pafundme korruptive.

Në shkrimin e tyre të shkruar bashkë dhe të botuar në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i përçojnë BE-së mesazhin se janë të gatshëm të pranojnë një anëtarësi të klasit të dytë pasi që nuk besojnë se anëtarësimi i plotë është i mundshëm. Fajin për këtë ia lënë BE-së. Thonë se rajoni ka ndryshuar në mënyrë të paimagjinueshme. Theksojnë se sa i përket hyrjes në BE, shqiptarët mbesin optimistë, serbët janë skeptikë.

E vërtetë – rajoni ka ndryshuar, por jo gjithkund për të mirë. Serbia sot është një shtet autokratik, me liri të kufizuar të mediave, pa drejtësi të pavarur, me korrupsion të madh. Më shumë se kurrë Beogradi po kritikohet nga BE për shkak të regresit në shumë fusha.

Pse serbët janë skeptikë? Për shkak se fushata antiperëndimore e regjimit të Vuçiqit si dhe afërsia me Rusinë dhe me Kinën kanë ndikuar që edhe më shumë të forcohet disponimi kundër BE-së në Serbi. Një pakicë e mbështet hyrjen në BE, shumica ëndërrojnë për një vëllazëri ruso-serbe. Beogradi është shndërruar në qendër të spiunazhit rus. Nga aty koordinohen shumë veprime të agjenturave ruse në rajon dhe më gjerë. Para disa viteve një takim i opozitës ruse në Beograd është përgjuar nga autoritetet serbe dhe regjistrimet i janë dorëzuar Kremlinit. Kur opozitarët u kthyen në Moskë, ata u arrestuan menjëherë.

Shqipëria përballet me shumë vështirësi dhe lëngon nga korrupsioni i qeverisë dhe partisë së Edi Ramës, por shoqëria shqiptare nuk është antiperëndimore. Këtu qëndron dallimi i madh me Serbinë.

Duke ia zgjatur dorën një autokrati që lufton për mbijetesë politike – dhe i tillë është Vuçiqi – Edi Rama edhe njëherë dëshmoi se në politikën e tij të jashtme ka dy konstante: tregimin e përrallave patriotike sa i përket Kosovës dhe kultivimin e një raporti pafalshëm përqafues ndaj liderit në Beograd.

Shkrimi në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nuk përmban ndonjë risi. Se dëshiron që Shqipëria të hyjë në BE pa të drejta të plota, këtë Edi Rama e ka thënë edhe më herët. Pse duhet ta thotë këtë bashkë me Vuçiqin? Sa herë që autokrati serb ndodhet në vështirësi, Edi Rama është i gatshëm t’i dalë në ndihmë. Kur BE kërkon nga Vuçiqi t’i vë sanksione Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, kryeministri i Shqipërisë i kërkon Brukselit dhe kryeqyteteve të tjera të fuqishme të mos i bëjnë presion Vuçiqit.

Në shtator 2022, pak muaj pasi Rusia nisi luftën për të pushtuar mbarë Ukrainën, Rama i tha gazetës austriake “Die Presse”: “Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbajtur kërcënimin potencial larg Ballkanit. Prandaj, nuk duhet të ushtrohet më presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Sanksione të tilla nuk janë të mundshme, sepse Serbia nuk mund të mbijetojë pa Rusinë. Përveç kësaj, qeveria dhe presidenti Aleksandër Vuçiq nuk do t’i mbijetonin dot politikisht sanksioneve kundër Rusisë. Serbia tashmë ka mbajtur një qëndrim. Nuk duhet të harrojmë se Beogradi ka votuar tashmë tri herë kundër Rusisë në OKB. Kjo është një surprizë e madhe. Eshtë gjithashtu një shenjë se ka një vullnet të fortë në Beograd për t’u integruar në BE”.

About Author
Rilindja Shqiptare
View All Articles

Related Posts