Pas publikimit të listës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët morën mëditje nga buxheti i shtetit për shpenzime të udhëtimit, kanë filluar edhe arsyetimet e deputetëve të etiketuar në lista.
Në listën e 10 deputetëve që kanë shpenzuar më së shumti, të cilën e kryeson Pal Lekaj i AAK-së, është edhe deputeti i VV-së, Artan Abrashi.
Abrashi ka shkruar një status në llogarinë e tij në Facebook duke arsyetuar këto shpenzime.
Sipas tij, kjo punë rregullohet me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës dhe meqë ai jeton në Prizren, thotë se gjatë muajve nëntor – dhjetor 2021 ka udhëtuar mbi 35 herë nga vendbanimi i tij për të marrë pjesë në seanca të Kuvendit e në mbledhje të komisioneve parlamentare.
“Shumë deputetë nuk jetojnë në kryeqytet, përfshirë edhe mua”.
“Meqë jetoj në Prizren dhe në muajt nëntor-dhjetor kam udhëtuar mbi 35 herë Prizren-Prishtinë, me distancë prej 84 kilometra, kam kaluar përafërsisht mbi 2940 km vajtje, 2940 km ardhje”.
“Sipas kësaj logjike të gjithë deputetët duhet të zhvendosen në Prishtinë për ekonomizim të shpenzimeve. Unë këtë gjë nuk mund ta bëjë. Do të jetoj në Prizren. Faleminderit”, ka shkruar ai në Facebook.
Deputetja Duda Balje, deputete nga partia Socialdemokratska Unija (SDU), për Klan Kosova ka shpjegoi procedurën e financimit.
“Secili deputet që udhëton në një drejtim 30 kilometra ka pagesë 10 euro, nëse udhëton deri në 60 kilometra merr 20 euro dhe nëse është larg prej kuvendit më shumë se 60 kilometra, merr nga 30 euro, praktikisht si mëditje për shpenzimet e udhëtimit”, tregoi Balje.
“Ne jemi 13 deputetë nga Prizreni, jemi më larg se 60 kilometra në një drejtim dhe marrim nga 30 euro për prezencë në komision dhe seanca. A është e drejtë apo jo nuk varet prej meje, unë nuk kam marrë as më shumë as më pak sesa kam qenë e pranishme në komisione apo seanca”, u shpreh tutje deputetja.
Megjithatë, Balje tha se pagesa nuk është e njëjtë për të gjithë deputetët, por se varet nga prezenca në seanca dhe komisione.
“Varet nga sa kemi qenë aktiv. Këto pagesa mund të merren vetëm me nënshkrim, ku vërtetohet prezenca në seancë apo komision”, theksoi Balje.
Ndërkohë, Balje bëri të ditur se janë në fazën e ndryshimit të rregullores dhe nëse deputetët janë pro ndryshimit, edhe ajo do të jetë e të njëjtit mendim.
“Unë nuk jetoj në Prishtinë, udhëtoj çdo ditë, por nëse ka të tillë që jetojnë në Prishtinë dhe marrin paratë, nuk është në rregull”, u shpreh Balje.
Këshilltari i Kurtit kërkon sqarime për shpenzimet për karburante
Këshilltari i kryeministrit Kurti, Jusuf Ulaj, ka kërkuar sqarime nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me shpenzimet e deputetëve për karburante. Në listën e publikuar të shpenzimeve, ka edhe deputetë të Lëvizjes, që për Ulajn një gjë e tillë duhet ndaluar.
“Shumë nga ne qe në Lëvizje jemi për parime dhe ndaljen e të këqijave në këtë vend, presim reflektim nga grupi parlamentar që na përfaqëson. Shpenzimet në karburante duhen sqaruar dhe ndalur”, shkroi ai.
Kuvendi i Kosovës i paguan deputetët që të udhëtojnë për në punë. Gjatë dy muajve të fundit të vitit 2021, Pal Lekaj ka marrë 870 euro nga Kuvendi sepse thotë se udhëton për seanca e komisione nga Gjakova. Hajdar Beqa i PDK-së thotë se udhëton nga Gjakova për punë në Prishtinë dhe ka marrë për dy muaj 750 Euro.
Armend Zemaj i LDK-së thotë se vjen nga Deçani dhe ka marrë 690 euro, kurse Fatmire Kollçaku e Vetëvendosjes për udhëtime nga Peja ka marrë 660 euro. E për rrugën nga Skenderaj që Mërgim Lushtaku thotë se e bën për punë në Prishtinë, për dy muaj ai ka marrë 540 euro shtesë nga Kuvendi.
Jusuf Thaçi: Ata që kanë mashtruar, duhet të dorëhiqen
Jusuf Thaçi, opinionist, ka reaguar pas publikimit të shpenzimeve të deputetëve për udhëtimin. Ai thotë se nëse ata kanë mashtruar, duhet të dorëhiqen. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Thaçi ka treguar se cilët hapa do të duhej të ndiqeshin.
“Nëse konfirmohet se ndonjë deputet/e ka mashtruar në lidhje me shpenzimet e udhëtimit, përkatësisht ka përvetësuar para publike përmes mashtrimit, atëherë:
- Ai/ajo duhet të japë dorëheqje nga pozita e deputetit, sepse më nuk e ka as integritet e as legjitimitet për ta përfaqësuar qytetarin.
- Nëse ai/ajo nuk jep dorëheqje, atëherë është detyrë e subjektit politik që i përket ai/ajo që ta largojë nga grupi parlamentar dhe nga partia (meqë mandatin e deputetit nuk mund t’ia marrë). Nëse partia nuk ndërmerr asgjë ndaj tij/saj, atëherë është bashkëfajtore për këtë mashtrim.
- Prokuroria dhe gjyqësia duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ndaj atij/asaj deputeti/eje për mashtrim dhe përvetësim të parasë publike në mënyrë të kundërligjshme, sepse deputetët nuk kanë imunitet për vepra penale.
Ndërsa, rastet tjera kur deputetët e shfrytëzojnë këtë të drejtë që ua mundëson legjislacioni në fuqi, pa e keqpërdorur, ky është diskutim krejt tjetër.”, shkroi Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
Listës së publikuar të shpenzimeve i prinë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dhe ajo nga radhët komunitetit boshnjak Duda Balje.
Të dytë kanë shpenzuar nga 870 euro për derivate për muajt nëntor-dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërkaq deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti, 810 e pasuar nga Albana Bytyqi e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 780 euro të shpenzuara.
Nga shpenzimet e publikuara shihet se më së shumti kanë harxhuar deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni.
Ndërkaq për këto shpenzime ka reaguar në Facebook Jusuf Ulaj, i cili është këshilltar për shëndetësi në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti.
“Shumë nga ne që në Lëvizjen Vetëvendosje jemi për parime dhe ndaljen e të këqijave në këtë vend, presim reflektim nga Grupi Parlamentar që na përfaqëson! Shpenzimet në karburante duhen sqaruar dhe ndalur”, ka shkruar Ulaj në Facebook.
Shpenzimet e secilit deputet për karburante gjatë kësaj periudhe.