Nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri” nisën ditën e sotme më ndryshe nga zakonisht. Ora e parë mësimore iu kushtua përkujtimit të Epopesë së UÇK-së, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

 

 

 

Aktiviteti përkujtimor filloi me shfaqjen e një dokumentari kushtuar Epopesë së UÇK-së, përmes të cilit nxënësit patën mundësi të mësojnë më shumë për ngjarjet historike, sakrificën dhe qëndresën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas shfaqjes së dokumentarit, ora vazhdoi në një atmosferë solemne me këngë patriotike.

Gjatë kësaj ore përkujtimore, nxënësve u është treguar edhe rrëfimi i Besarta Jashari, e mbijetuara e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Rrëfimi i saj për sakrificën dhe qëndresën e familjes Jashari i emocionoi nxënësit, duke u dhënë atyre një pasqyrë më të afërt të ngjarjeve që shënuan historinë e vendit.

Gjithashtu, drejtoresha e Shkollës Naim Frashëri, Merita Haxhiu, ka folur rreth përgatitjeve që ka bërë shkolla për shënimin dhe nderimin e kësaj dite të rëndësishme.

“ Shkolla ‘Naim Frashëri’ i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e Epopesë së UÇK-së, e cila fillon më 5 mars dhe përfundon më 7 mars. Përgatitjet janë bërë, ndërsa ora e parë mësimore është mbajtur kushtuar Epopesë së UÇK-së”, tha Haxhiu.

Përmes këtij aktiviteti, shkolla synon që nxënësit të njihen më mirë me historinë e Kosovës. Aktivitete të tilla përkujtimore konsiderohen të rëndësishme për edukimin e brezave të rinj dhe për ruajtjen e kujtesës historike.

Related Posts