Rita Ora ka zbuluar se që kur mbushi 30 vjeçe ka ndryshuar stilin e jetesës, duke u fokusuar më shumë në shëndetin fizik dhe mendor.
Këngëtarja 35-vjeçare është në kopertinën e revistës Women’s Health UK, ku shfaq fizikun e saj të stërvitur dhe flet për rutinën e re të fitnesit.
Ajo tregoi se në të njëzetat e saj ishte e përqendruar te karriera dhe shijonte çdo moment, por më vonë vuri re ndryshime në trup dhe vendosi ta trajtojë veten “si një atlete”, duke përfshirë stërvitje me pesha dhe një mënyrë më të kujdesshme jetese. Rita theksoi se ky ndryshim nuk lidhet me pamjen, por me mënyrën se si ndihet.
Këngëtarja ka nisur gjithashtu të informohet për menopauzën, pasi nëna e saj e përjetoi atë herët gjatë trajtimit të kancerit të gjirit. Për të qenë më e sigurt për të ardhmen, ajo ka ngrirë vezët dy herë, në moshën 24 dhe 27 vjeçe.
Rita është e martuar me regjisorin Taika Waititi që nga viti 2022 dhe aktualisht gëzon rolin e njerkës për dy vajzat e tij. Ajo nuk përjashton mundësinë për të krijuar familje në të ardhmen. Artistja foli edhe për shëndetin mendor, duke treguar se një sulm paniku në vitin 2016 e shtyu të kërkonte terapi dhe të kujdesej më shumë për mirëqenien e saj.






















