Një 23-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Vlorë pasi tentoi të vidhte një furgon.

Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti edhe një armë të ftohtë (thikë), e cila u sekuestrua si provë materiale.

Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe punës së pandërprerë për parandalimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjes, si dhe për kapjen e autorëve të tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit G.P., 23 vjeç, banues në Pejë.

“Ky shtetas u kap më datë 10.03.2026 , rreth orëve të para të mengjesit, në lagjen “24 Maji”, në momentin që po tentonte të vidhte një automjet tip furgon. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur kapjen e tij në flagrancë dhe parandalimin e vjedhjes. Gjatë kontrollit personal, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë)”, tha policia në Shqipëri.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se i njëjti shtetas dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër, të ndodhur më datë 06.03.2026, ku është marrë një shumë parash në një lokal në lagjen “10 Korriku”, në qytetin e Vlorës.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për verifikimin e përfshirjes së këtij shtetasi edhe në raste të tjera vjedhjeje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Related Posts