Drejtori APK-së, Yll Buleshkaj ka folur rreth procedurës së deklarimit të pasurisë të mbi 10 mijë zyrtarëve publikë.
Në emisionin “Ora Shtatë”, Buleshkaj tha se nuk ka zyrtar që nuk e deklaron pasurinë, por mund të ketë vonesa ose pasaktësi në deklarim.
“Fatmirësisht nuk kemi zyrtarë që nuk e deklarojnë pasurinë, sepse pasojat juridike janë mjaft të mëdha. Ka zyrtarë që vonohen në deklarim të pasurisë, dhe ka zyrtarë që nuk janë plotësisht të saktë në deklarimin e pasurisë. Janë diku mbi 10 mijë zyrtarë publikë që i nënshtrohen deklarimit të pasurisë”, tha ai.
Nga ana tjetër, sa i përket verifikimit të pasurisë, drejtori tha se ka një bashkëpunim të plotë mes institucioneve.
“Sa i përket verifikimit të pasurisë, kemi një bashkëpunim të plotë të institucioneve. Është obligim ligjor i këtyre institucioneve që të bashkëpunojnë, kanë pasoja juridike në qoftë se nuk bashkëpunojnë”, tha ai.






















