Ministria e Ekonomisë ka dalë me një reagim publik ndaj raportimeve në medie se kjo ministri i kishte refuzuar kërkesën e presidentes, Vjosa Osmani, për dhurimin e një minerali nga Muzeu Shtetëror i Mineraleve dhe Kristaleve “Trepça”.

Ata thonë se kërkesa nga Zyra e Presidentes u ka shkuar një ditë para se e para e shtetit të nisej për në udhëtimin zyrtar, dhe se, sipas Ministrisë së Ekonomisë, kërkesa ishte trajtuar me urgjencë, por koha ka qenë e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesën.

Ministria e Ekonomisë thekson se kërkesa nga Zyra e Presidentes për dhurimin e kristalit është pranuar më 16 shkurt 2026, përkatësisht një ditë para udhëtimit zyrtar të Presidentes të Republikës së Kosovës. Zyrtarët përgjegjës e kanë trajtuar me urgjencë kërkesën e zyrës së presidentes, por për shkak të procedurës ligjore dhe administrative, koha ka qenë e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesën”, thuhet në këtë reagim publik të Ministrisë së Ekonomisë.

Tutje, ata kanë sqaruar se bazuar në legjislacionin përkatës, mineralet apo kristalet mund të dhurohen ose të shkëmbehen me institucionet homologe të shteteve të tjera, kur kjo u shërben interesave kombëtare dhe kur vlerat e tyre janë të barasvlefshme.

“Mineralet/kristalet që mund të dhurohen ose të shkëmbehen përcaktohen nga Komisioni Profesional, i cili themelohet me vendim të Drejtorit Ekzekutiv të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës. Dhurimi apo shkëmbimi mund të realizohet vetëm me vendim përfundimtar, pas rekomandimit të dhënë nga komisioni profesional. Rrjedhimisht, për përmbylljen e këtij procesi, afati kohor ka qenë tejet i shkurtër”, thuhet tutje në reagim.

Ministria e Ekonomisë shton se pretendimet që e lidhin këtë çështje me zhvillime politike apo me marrëdhënie ndërmjet institucioneve janë interpretime të njëanshme.

Kanë thënë se sipas kompetencave ligjore, mbetet e përkushtuar për trajtimin e çdo kërkese në përputhje të plotë me legjislacionin përkatës, rregullat për menaxhimin e pasurisë publike si dhe parimin e transparencës.

About Author
Rilindja Shqiptare
View All Articles

Related Posts