Veteranët e luftës që punojnë në ndërmarrje publike rajonale ende nuk i kanë marrë pensionet për muajin shkurt.
Në mesin e tyre është edhe Faruk Jusufi nga Klina, i punësuar në KRM “Ambienti”.
Ai tregon se pas vendimit të Gjykatës Supreme i janë ekzekutuar tri pensione në vlerë prej 102 eurosh, mirëpo për muajin e kaluar pagesa nuk është realizuar mw datën 20.
Faruku nga fshati Bokshiq, si 20-vjeçar ishte bërë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka pranuar shumë ankesa lidhur me këtë situatë, tregon nënkryetari i organizatës, Gazmend Syla.
Ndërprerja e pensioneve për këtë kategori, Syla konsideron se është padrejtësi.
Syla u bën thirrje këtyre veteranëve që t’i drejtohen gjykatave, për çka edhe Faruk Jusufi thotë se është i gatshëm që të ndjek rrugën ligjore.
Në përgjigjen për KosovaPress, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare thotë se janë duke trajtuar këto raste pasi çdo vendim merret në përputhje me dispozitat ligjore.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e konsideron padrejtësi edhe faktin se të punësuarit në sektorin publik nuk mund të gëzojnë pensionin e veteranit të luftës.
Në tetor të vitit të kaluar Gjykata Supreme e ka shfuqizuar një nen të udhëzimit administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të UÇK-së të paraqesin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni. Ata kanë të drejtën të gëzojnë 50 për qind të pensionit të veteranit të luftës.





















