Vjena u trondit mbrëmë nga një aksident tragjik në një kantier ndërtimi, ku katër punëtorë humbën jetën, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar rëndë.
Ngjarja ka prekur edhe Kosovën, pasi Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë ka konfirmuar se tri nga katër viktimat janë shtetas të Kosovës.
Ngjarja ndodhi të martën pasdite në distriktin Alsergrund të Vjenës dhe, sipas dëshmitarëve, dukej si një skenë nga një film katastrofash.
Ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund të Vjenës. Në kantierin e ndërtimit u shemb një pjesë e konstruksionit. Sipas mediave austriake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00.
Siç ka shkruar “Krone Zeitung”, gjatë punimeve të betonimit në kuadër të ndërtimit në kulmin e një ndërtese, konstruksioni u shemb papritur dhe e gjithë skela së bashku me konstruksionin ranë, pikërisht në momentin kur pesë punëtorët ndodheshin në skelë.
“Punëtorët e ndërtimit, që ndodheshin mbi këtë konstruksion të sapo betonuar, kanë rënë bashkë me skelën”, ka thënë zëdhënësi i zjarrfikësve Martin Hofbauer.
Dëshmitarët okularë përshkruan sekonda dramatike në vendngjarje.
“Ishte një zhurmë jashtëzakonisht e madhe, pastaj dëgjova vetëm se si punëtorët po bërtisnin me të madhe. Më pas filluan edhe sirenat,“ tregoi një banor i zonës.
Ambasada e Kosovës në Vjenë konfirmoi se tre nga viktimat janë shtetas kosovarë.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ju informon se sipas konfirmimeve të fundit edhe viktima e tretë nga katër viktimat e këtij aksidenti tragjik është shtetas i Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për qytetarin: Istref Zekaj. Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse,” thuhet në njoftimin e ambasadës, ku shprehen ngushëllime për familjet e viktimave.
“Në këto momente të rënda, shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave. Do të vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast,” theksohet në njoftim.
Paraprakisht, ambasada kishte njoftuar se në këtë aksident kanë humbur jetën edhe Pajtim Bajrami dhe Asllan Musliu.






















