Kanë nisur sot punimet për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
Ky projekt synon avancimin e mëtejmë të sportit të xhudos dhe krijimin e kushteve moderne për sportistët kosovarë. Njëkohësisht, shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare të sportit, duke ndërtuar mbi sukseset e deritanishme olimpike dhe botërore.
Në ceremoninë e vënies së gur themelit, krahas kryetarit të federatës së xhudos, Agron Kuka, dhe trajneri, Driton Kuka, morën pjesë edhe kryeministri, Albin Kurti dhe ministri I sportit, Blerim Gashani.
Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, tha se ky projekt do të hap mundësi të reja për të gjithë sportistët të cilët merren me xhudo dhe synojnë suksess elitare në Evropë dhe Botë.
“Para plot 30 vitesh, pak metra nga këtu, ka qenë babai im që ka vendosur një gurthemel. E ai ka qenë gurthemeri i mbijetesës. Po, ka qenë mbijetesa e sportit fisnik të xhudos pas uzurpimit të palestrave publike nga okupuesi serb. Dhe pas çlirimit, në po atë vend vazhdoi puna e madhe e sakrifica për përfaqësimin e shtetit tonë gjithandej botës, deri në arritjet kulminante që deri tani numërojnë pesë medalje olimpike, dhjetëra evropiane e botërore, e qindra të tjera ndërkombëtare. Përveç që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i sportit u njoftua me potencialin e një shteti të ri, po ashtu u ngrit edhe kurioziteti se çfarë qëndron pas kësaj. Dhe kjo kuriozitet u shua në vitin 2021, ku shkëlqeu emri i vëllait tonë, Driton Toni Kukës, si trajneri më i mirë në Evropë dhe botë, i shpallur nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore. E ky gurthemel po vendoset për mundësi më të mëdha, si në zhvillimin e sportit, po ashtu edhe në promovimin e vendit tonë përmes organizimit të aktiviteteve trajnuese e garuese ndërkombëtare. Njëra nga ato do të jetë edhe organizimi i garës prestigjioze të Lojërave Mesdhetare në sportin e xhudos dhe sportin e karatesë”, theksoi Kuka.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vuri në pah rëndësinë e investimit dhe standardet që do të sjellë ky projekt. Ai bëri të ditur se zgjerimi do të përfshijë infrastrukturë moderne sportive dhe përcjellëse, duke krijuar kushte të nivelit ndërkombëtar dhe duke e shndërruar këtë qendër në një pikë referimi për sportin dhe zhvillimin ekonomik e turistik.
“Kjo qendër ku ndodhemi aktualisht është përuruar në shtator të vitit 2021. Një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në ‘Paris 2024’ është shtruar pikërisht këtu. Pjesa tjetër është bërë në kushte më të vështira, por me punë dhe përkushtim, kjo ekip e jashtëzakonshme e xhudos ka sjellë medalje të arta olimpike nga Rio dhe Tokio. Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit ‘Kosova shtet i xhudos’, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin:Palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant. Projekti do të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë punën përpara, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë dhe njëkohësisht të kontribuojë në zgjerimin dhe ngritjen e sportit, turizmit dhe ekonomisë në vendin tonë. Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re të xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030”, bëri të ditur Kurti.
Nga ana tjetër, trajneri më i mirë i xhudos në botë, Driton Kuka e cilësoi këtë moment si kulmin e një pune të gjatë dhe të përbashkët.
Ai theksoi se ky gurthemeli përfaqëson një vulë të sakrificës shumëvjeçare dhe një hap të madh drejt krijimit të kushteve të barabarta me vendet më të fuqishme të botës në sportin e xhudos.
“Për mua sot është një ditë e veçantë, sepse ky gurthemel nuk është vetëm fillimi i një ndërtese, por është vula e një pune dhe sakrifice të gjatë që kemi bërë si ekip, si familje dhe si shtet.
Ky zgjerim i Qendrës Nacionale të Xhudos do të na mundësojë që të kemi kushte të barabarta me fuqitë më të mëdha botërore të sportit. Deri më tani, ne kemi bërë mrekulli në hapësira modeste, por me këtë investim, ne po hapim dyert për brezat e rinj që të ëndërrojnë dhe të arrijnë majat e botës. Xhudoja e Kosovës tashmë është një brend botëror. Kjo qendër do të shërbejë si një akademi ku jo vetëm që do të rriten kampionët tanë, por do të vijnë edhe xhudistë nga e mbarë bota për të mësuar nga ne. Ky është një sukses i përbashkët i sportistëve, trajnerëve dhe institucioneve tona që po e kuptojnë rëndësinë e investimit në rininë tonë”, deklaroi Driton Kuka.
Kjo qendër nacionale u tha se do të shërbejë shumë edhe për xhudistët dhe karateistët të cilët do të garojnë për Kosovën edhe në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.






















