Një grua është sulmuar nga qentë endacakë mëngjesin e sotëm brenda hapësirës së Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e cila bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00.
“Ju njoftojmë se sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, një grua është sulmuar nga qentë endacakë brenda oborrit të QKUK”, tha ajo.
Sipas saj, menjëherë pas incidentit, ekipet mjekësore kanë reaguar duke i ofruar ndihmën e nevojshme viktimës.
“Menjëherë pas ngjarjes, ekipet mjekësore të Qendrës Emergjente kanë ofruar ndihmën e nevojshme shëndetësore. Aktualisht pacientja është nën përkujdesje profesionale në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe gjendja e saj është stabile, sipas mjekëve”, ka theksuar Qyqalla.
Ajo ka shtuar se QKUK ka ngritur shqetësimin për praninë e qenve endacakë edhe më herët pranë institucioneve përgjegjëse.
“QKUK ka adresuar shqetësimet e saj përmes shkresave zyrtare drejtuar Komunës së Prishtinës, duke kërkuar ndërmarrjen e masave konkrete për trajtimin dhe menaxhimin e qenve endacakë në këtë zonë. Përkundër angazhimit të komunës për largimin e tyre, prapë se prapë nuk është eliminuar tërësisht prezenca e qenve endacakë”, ka shtuar ajo.
Rasti rikthen në vëmendje çështjen e sigurisë në hapësirat publike dhe nevojën për menaxhim më efektiv të qenve endacakë në kryeqytet.






















