Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cilësoi si skandaloze dhe të papranueshme deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për mediat, duke e akuzuar se përpiqet të hedhë mjegull dhe të shmangë përgjegjësinë.
Çitaku kërkoi nxjerrjen e emrave dhe fakteve për paratë që, sipas Kurtit, janë marrë nga Serbia, dhe kritikoi mbajtjen në pushtet të Martin Berishajt, për aferat e tij me GEN-in serb.
Postimi:
Skandaloze dhe e papranueshme deklarata dhe sulmet e Albin Kurtit sot nga foltorja e Kuvendit kundër mediave.
Një njeri që ka pasur pushtet pothuajse absolut në Kosovë për gati gjashtë vite, del dhe hedh akuza të rënda, duke pretenduar se media kanë marrë para nga Serbia.
Kjo është përpjekje për të hedhur mjegull dhe për të shmangur përgjegjësinë.
Kush ka marrë para nga Serbia, Albin? Kush? Nxirr emrat. Nxirr faktet.
Mjaft më me sulme dhe etiketime të pabazuara kundër mediave të lira.
Një njeri që mban në pushtet Martin Berishajn, për të cilin janë publikuar fakte për afera milionëshe me GEN-in serb, dhe vazhdon ta mbajë ambasador, nuk ka as kredibilitet moral dhe as të drejtë të sulmojë të tjerët.
Ndërkohë, atij që përhap narracione të UDB-së për masakrën e Dubravës, i financohen botime dhe i promovohen nëpër sheshe e ambasada.
Boll më.






















