Një incident fatal ka ndodhur sot në Bjeshkët e Prevallës, ku një shtetas amerikan (turist) ka humbur jetën pas një vetëaksidenti me motoçikletë katër-rrotëshe.

Vetëaksidenti ka ndodhur të enjten, më 9 prill, rreth orës 17:00. Rastin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit.

Sipas Policisë, turisti derisa ishte duke drejtuar një motoçikletë me katër rrota (ATV), në një moment ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është rrokullisur jashtë rrugës.

Si pasojë e lëndimeve të marra, ai ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor nga Emergjenca e Prizrenit.

“Njësitet policore dhe Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në konsultim me prokurorin janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbledhjen e provave dhe dëshmive lidhur me rastin”, njoftoi Policia tutje.

Related Posts