Çerek shekulli pas vrasjes së vëllait të tyre, dy vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli janë arrestuar në Itali dhe do të ekstradohen në Shqipëri për të vuajtur dënimin e shqiptuar nga Gjykata e Lushnjës. Ata ishin shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare që në vitin 1999, dhe u dënuan në mungesë me 32 vite burg për vrasjen e Rezar Metajt në Lushnje në vitin 1999.
Ngjarja kishte motive hakmarrjeje. Në vitin 1997, i riu kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, dhe ende nuk ishte arrestuar nga policia. Pas kësaj, dy vëllezërit u arratisën në Itali, ku jetuan me identitete të rreme, Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, dhe siguruan leje qëndrimi.
Sipas informacionit të Interpolit në Tiranë, autoritetet italiane raportuan se disa familjarë të lidhur me dy të kërkuarit jetonin në një zonë, duke dhënë mundësinë për identifikimin e tyre. Me mungesën e shenjave të gishtërinjve në Shqipëri, agjentët gjetën fotografi të vjetra të Artur dhe Arben Mëhillit dhe përdorën teknologjinë “Facial Recognition” për t’i krahasuar me fotot që Italia dërgoi të shqiptarëve me identitete të tjera. Rezultatet konfirmuan se ata janë dy personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Arturi ishte 33 vjeç kur kreu vrasjen, ndërsa sot u arrestua në moshën 60-vjeçare. I vëllai Arbeni, ishte 27 vjeç në kohën e krimit, dhe tani është 54-vjeçar. Të dy u dënuan për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Vëllai i tyre i vrarë, Sokol Mëhilli, është babai i Stenaldo Mëhillit, gazetarit i cili u bë i njohur me pjesëmarrjen e tij në spektaklin “Big Brother VIP”, ku tregoi edhe detajet e vrasjes së babait të tij kur ishte vetëm 1 muajsh.
Pas arrestimit në Itali, autoritetet shqiptare dhe italiane po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurat e ekstradimit të Artur dhe Arben Mëhillit në Shqipëri për të vuajtur dënimin.






















