Rruga që lidh Shtimen me Prizrenin, për një kohë të gjatë ka qenë rrezik për qytetarët.

Shembja totale e njërit nga shiritat e rrugës në fshatin Carralevë, detyronte automjetet të kalonin vetëm në njërin shirit që për një kohë të gjatë as nuk kishte sinjalizues për të ndihmuar qarkullimin.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, më në fund ka marrë masa për të ndërhyrë në këtë rrugë.

Ata kanë dhënë tender për rregullimin e kësaj rruge.

Tenderin e ka fituar kompania K.N.P.SH Papenburg & Adriani Company Sh.P.K me lokacion në Grackë të Vjetër të Lipjanit. Tenderi që ka fituar kjo kompani kap vlerën e 242 mijë e 394 eurove.

Në garë për këtë tender kanë qenë edhe dy kompani, Granit Sh.P.K dhe Famis CO-HC SH.A.

Në lidhje me fillimin e punimeve në këtë rrugë ka njoftuar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit më 7 prill. Ata kanë thënë se atë ditë është lidhur kontrata dhe ka filluar realizimi i punimeve për sanimin e rrëshqitjes së trupit të rrugës në këtë fshat.

“Ky intervenim do ta rikthejë sigurinë dhe stabilitetin e plotë në këtë pjesë të rrugës. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbetet e përkushtuar për reagim të shpejtë dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës rrugore në vend”, thuhet në njoftim.

Gjendja e rrugëve si autostrada ashtu edhe atyre magjistrale dhe lokale është në gjendje të rënduar. Në autostradën “Ibrahim Rugova”, në aksin rrugor që lidh Suharekën me Prizrenin, një pjesë e madhe e dheut është shembur duke paraqitur rrezik serioz, vend në të cilin ku edhe janë shkaktuar disa aksidente me fatalitet.

Related Posts