Një person është parë sot në Han të Elezit teksa lëvizte me një armë, gjë që ka shkaktuar frikë tek qytetarët, dhe e cila më pas rezultoi se kishte qenë lodër.
Lidhur me këtë rast, u aktivizua edhe Policia e Kosovës, thanë se i dyshuari, me iniciale E.B., 50-vjeçar, është intervistuar dhe i njëjti ka dorëzuar mjetin e dyshimtë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli bëri të ditur për redaksinë se i dyshuari ka deklaruar se mjeti në fjalë është lodër e djalit të tij tetëvjeçar.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë patrulluese të stacionit policor në Han të Elezit kanë bërë identifikimin e personit të dyshuar, i cili rezulton të jetë qytetar nga Hani i Elezit, me iniciale E.B., ( 50 vjeç), i cili është intervistuar nga patrulla policore dhe ka dorëzuar mjetin e dyshimtë, i cili, sipas pamjeve, përputhet me mjetin që shihet në videon që ka qarkulluat në media”.
“I dyshuari ka deklaruar se mjeti në fjalë është lodër e djalit të tij 8-vjeçar dhe se është i njëjti mjet që kishte në dorë”, tha Veseli, njofton Klankosova.tv.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që, me pëlqimin e palës, të kryhet bastisja e shtëpisë së të dyshuarit.
Veseli njoftoi se bastisja është realizuar, mirëpo nuk është hasur në ndonjë mjet apo provë të dyshimtë.
“Me udhëzim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, ndërsa mjeti i dyshimtë është konfiskuar”, përfundoi ai.






















