Ushtruesja e detyrës e presidentes, njëherësh kryeparlamentare Albulena Haxhiu ka blerë sivjet banesë në vlerë prej 128 mijë e 740 eurosh bashkë me bashkëshortin e saj, sipas deklarimit të pasurisë të publikuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Haxhiu ka deklaruar se këtë banesë, me sipërfaqe prej 128.74 metër katror, e kanë blerë me kredi. Te detyrimet financiare figuron një kredi në vlerë 160 mijë euro në emër të saj, ku vlera e mbetur është 159 mijë e 89 euro.

Në emër të bashkëshortit, i cili është anëtar i VV-së në KQZ, ka deklaruar një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë 15 mijë euro.

Te pasuritë e luajtshme, Haxhiu ka deklaruar një veturë në vlerë 9 mijë e 700 euro, në pronësi të përbashkët.

Si para të gatshme, Haxhiu i ka deklaruar 1 mijë e 531 euro.

Te detyrimet financiare, ka renditur edhe 1 mijë e 100 euro, në emër të bashkëshortit.

Si të hyra vjetore, Haxhiu ka renditur pagën nga kuvendi në vlerë 22 mijë e 658 euro, mëditje në vlerë 234 euro, 1 mijë e 140 euro të tjera nga shtesat dhe kompensimet e tjera.

Ndërkohë në emër të bashkëshortit figuron paga në vlerë prej 16 mijë e 739 euro nga KQZ dhe mëditje në vlerë 1 mijë e 747 euro nga udhëtimet jashtë vendit.

Related Posts