Kryeministri shqiptar Edi Rama ka garantuar se banorët e prekur nga zjarri që shkrumboi pallatin pranë QSUT-së në Tiranë do të mbështeten me bonus qiraje.
Në një postim në Facebook, Rama shkruan se kjo mbështetje do të vijojë deri sa banorët të mund të rikthehen në banesat e tyre, teksa thekson edhe një herë se pallati do të riparohet po nga vetë ndërtuesi.
“Po, banorët e prekur nga zjarri në banesat e tyre do të mbështeten me bonuse qiraje, deri kur të rikthehen së shpejti në pallatin e riparuar 100% nga ndërtuesi”, shkruan Rama.
Pallati u përfshi nga flakët pasditen e 14 prillit, duke shkaktuar dëme të mëdha. Fatmirësisht, nuk u raportuan viktima, ndërsa 11 persona morën lëndime për shkak të flakëve dhe asfiksisë nga tymi, mes të cilëve edhe zjarrfikës.
Sipas hetimeve të deritanishme, zjarri ka nisur në pjesën e pasme të ambienteve të një marketi, ndërsa dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga disa fëmijë që luanin pranë godinës.



















