Një ndërhyrje e suksesshme kirurgjikale është realizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në kuadër të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku një pacient 28-vjeçar është trajtuar me sukses pas një dëmtimi të rëndë që kishte pësuar muaj më parë.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një pacient mashkull, i cili prej rreth 10 muajsh mbante një plumb të mbetur në lobin e poshtëm të mushkërisë së majtë.

“Falë përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor, trupi i huaj është larguar përmes një ndërhyrjeje moderne dhe minimale invazive. Operacioni është kryer duke përdorur metodën bashkëkohore VATS-Uniportal, e cila mundëson ndërhyrje pa hapje të madhe kirurgjikale, duke reduktuar rrezikun e komplikimeve dhe duke përshpejtuar ndjeshëm procesin e rikuperimit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Sipas mjekëve, ndërhyrja ka rezultuar plotësisht e suksesshme, duke ruajtur funksionin e mushkërisë dhe duke shmangur çdo ndërlikim të mundshëm.

“Aktualisht, pacienti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdon rikuperimin pas operacionit”, thuhet tutje në njoftim.

Ky rast konsiderohet një tjetër dëshmi e avancimit të shërbimeve shëndetësore në vend dhe e përkushtimit të stafit mjekësor për të aplikuar teknikat më moderne në trajtimin e pacientëve.

Related Posts