Është iniciuar formimi i shtabit emergjent në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për reagim pas disa rasteve të sulmeve të qenve endacakë brenda hapësirës së qendrës. 

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka iniciuar formimin e këtij shtabi, i cili ka qëllim të sigurojë mbrojtjen e menjëhershme të pacientëve, stafit shëndetësor, vizitorëve dhe qytetarëve, përmes koordinimit ndërinstitucional dhe zbatimit të masave urgjente për identifikimin, kontrollin, largimin dhe parandalimin e rrezikut nga qentë endacakë.

“Shtabi Emergjent përbëhet nga përfaqësues të strukturave të brendshme të QKUK-së, përfshirë drejtues institucionalë, përfaqësues nga Klinika Emergjente, Zyra Ligjore, si dhe Shërbimi i Sigurimit dhe zjarrfikësve. Në këtë mekanizëm janë përfshirë edhe institucionet relevante jashtë QKUK-së, si Komuna e Prishtinës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Policia e Kosovës, kompania kontraktuese për trajtimin e qenve endacakë, Inspektorati komunal, si dhe organizata të licencuara për mbrojtjen e kafshëve”, njoftoi QKUK.

Disa herë është raportuar për sulme të qenve endacakë brenda hapësirës së QKUK-së, në disa janë sulmuar pacientë, vizitorë ose edhe vetë stafi shëndetësorë.

 

Related Posts