Një raport i organizatës prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Dokumenti, i prezantuar në Prishtinë nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është i përqendruar ekskluzivisht në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe konsiderohet ndër analizat më kritike të deritanishme për këtë gjykatë.
Sipas raportit, ekziston rrezik real që disa procese të mos jenë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Në fokus të raportit janë edhe shqetësimet për trajtimin e të akuzuarve, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ku përmendet posaçërisht kohëzgjatja e paraburgimit dhe kufizimi i lirimit të përkohshëm.
Raporti thekson se, ndonëse kuadri ligjor i Gjykatës Speciale duket korrekt në letër, në praktikë ekzistojnë kufizime që mund të cenojnë të drejtën për liri dhe barazinë mes palëve. Një ndër gjetjet kryesore lidhet me parimin e “barazisë së armëve”, ku mbrojtja mund të jetë në disavantazh përballë prokurorisë.




















