Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Rama deklaroi se Kurti nuk do të qeverisë, por vetëm lufton për pushtet, e jo për shtet. Sipas tij, kryeministri në detyrë i përdor qytetarët për pushtet.

“Unë e kam thënë këtë qysh në janar. Kjo është një lojë politike e padrejtë e Albin Kurtit. Ai nuk do me qeverisë derisa ai është në pozitë, pra vetëm e ka pushtetin, lufton për pushtet, jo për shtet, jo për qytetarë. Pra i përdor qytetarët për pushtet. Na flet pallavra, na flet të pavërteta, edhe vazhdon me mbajt pushtet, edhe vazhdon me kriju këtë bllokadë të qeverisë qysh e ka blloku vitin e kaluar rreth më shumë se një vit, tash vazhdon me blloku prapë me zgjedhje të panevojshme, po them, të cilat vetë, vetë i ka kriju”.

“Pra ka mund me gjetë zgjidhje, ka pas 51% të votës së qytetarëve. Por, i shfrytëzon qytetarët për me mbajt pushtet. Nuk e shfrytëzon pushtetin për me i ndihmu qytetarët”, tha Rama për Ekonomia Online.

Kuvendi i Kosovës dështoi mbrëmjen e së martës të zgjedhë presidentin e ri të vendit, megjithëse Gjykata Kushtetuese i dha 34 ditë kohë. Ndërsa, të enjten ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, e ka caktuar 7 qershorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Related Posts