27 vjet pas luftës, familja e veteranit të UÇK-së në Drenas ende pa rrugë të asfaltuar dhe pa kanalizim.

Familjet e lagjes Fazliu, e cila gjendet mes fshatrave Gradicë dhe Godanc në Komunën e Drenasit, po përballen me mungesë të infrastrukturës bazike edhe 27 vjet pas luftës në Kosovë.

Banorët thonë se rruga që lidh lagjen e tyre vazhdon të mbetet e paasfaltuar, ndërsa mungojnë edhe kanalizimi dhe ujësjellësi, duke ua vështirësuar jetën e përditshme, sidomos gjatë stinës së dimrit kur rruga bëhet pothuajse e pakalueshme.

Përfaqësuesi i familjes, Faton Fazliu, ka dërguar ndër vite disa kërkesa zyrtare drejtuar kryetarit të Komunës së Drenasit, drejtorive përkatëse dhe Kuvendit Komunal, duke kërkuar asfaltimin e rrugës në lagjen Fazliu dhe rregullimin e infrastrukturës përcjellëse.

Sipas kërkesave të dorëzuara, rruga ka një gjatësi prej rreth 1500 metrash, ndërsa kanalizimi dhe ujësjellësi rreth 800 metra. Banorët theksojnë se deri më tani mirëmbajtjen e rrugës e kanë bërë me mjete vetanake, ndërsa për kyçjen në rrjetin elektrik kanë investuar po ashtu pa ndihmën e institucioneve.

Në këtë lagje jetojnë edhe familjarë të martirit të Kosovës, Avdullah Gradica (Fazliu), i cili ra gjatë luftës së fundit të UÇK-së. Rruga që çon drejt kësaj lagjeje mban emrin e tij, “Avdullah Gradica”.

Banorët shprehen të zhgënjyer që, sipas tyre, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme ndër vite, kjo pjesë ka mbetur në harresë institucionale.

“Ku duhet të drejtohen më familjarët për këtë shqetësim, kur kërkesat e tyre kanë mbetur pa zgjidhje për vite me radhë?”, është pyetja që shtrojnë banorët e kësaj lagjeje.

Portali Rilindja Shqiptare ka kontaktuar Komunën e Drenasit lidhur me këtë çështje, mirëpo deri në momentin e publikimit nuk ka marrë asnjë përgjigje.

 

Ku duhet të drejtohemi më?” Banorët e lagjes Fazliu në Drenas pa rrugë e ujësjellës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts