Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Arsimit në Kryeqytet, Samir Shahinin.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shahini, ku njoftoi se mandati i tij ka përfunduar me vendim të kryetarit të Kryeqytetit.
“Me vendim të Kryetarit të Kryeqytetit, mandati im si Drejtor i Arsimit përfundon këtu”, ka shkruar Shahini.
Në reagimin e tij, ai ka renditur një sërë projektesh dhe reformash që, sipas tij, janë realizuar gjatë mandatit të tij në krye të Drejtorisë së Arsimit.
Mes tyre, Shahini përmendi zgjerimin e mësimit tërëditor në shtatë shkolla të tjera, renovimin e 14 shkollave, hapjen e objektit të ri të shkollës “7 Shtatori” dhe çerdhes së re në Dardani, shpërndarjen e mbi 300 tabelave digjitale nëpër shkolla, si dhe nisjen e Ligës së Shkollave për vajza dhe djem.
Ai tha se largohet nga detyra “me kokën lart”, duke shtuar se mbetet krenar për punën dhe ndryshimet e nisura në sistemin arsimor të Kryeqytetit.




















