Një konflikt mes kolegëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Leposaviq ka përfunduar me rast kanosjeje dhe ndërhyrje të Policisë, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se të dyshuar në këtë rast janë Dragan Velkovic, rreth 61-vjeçar dhe Goran Zivic, rreth 31-vjeçar, ndërsa viktimë rezulton M.M., rreth 38-vjeçar.
Sipas informatave, viktima ka raportuar në Policinë e Leposaviqit se incidenti kishte ndodhur më 15 maj 2026 rreth orës 09:00, derisa ai ndodhej në detyrë në QKMF Leposaviq.
Sinjali mëson se pas një mosmarrëveshjeje mes kolegëve te shkallët e objektit, viktima dyshohet se është kanosur nga të dyshuarit.
Burimet bëjnë të ditur se të dy personat janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku gjatë testimit është konstatuar se kishin konsumuar alkool.
Në lidhje me rastin është intervistuar edhe një dëshmitar që kishte qenë prezent gjatë incidentit.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”.
Sipas Policisë, njëri nga të dyshuarit është intervistuar pasi i kishte kaluar gjendja e dehjes dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari tjetër ka mbetur të intervistohet pasi t’i kalojë dehja.
Rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.











