Njësia A4 në Termocentralin Kosova A është ndalur në mënyrë të kontrolluar nga operimi, si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldajë, konkretisht në zonën e tejnxehësit.
Sipas njoftimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), stafi profesional i TC Kosova A ka vlerësuar se ndalimi i njësisë ka qenë i domosdoshëm dhe në përputhje të plotë me standardet teknike dhe të sigurisë, me qëllim të parandalimit të dëmtimeve më të mëdha dhe të paparashikueshme në pajisje.
Ndërkohë, KEK bën të ditur se falë bashkëpunimit të vazhdueshëm me Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH), në situata të tilla është siguruar një pjesë e konsiderueshme e kapacitetit të munguar përmes shkëmbimit të energjisë me KESH, deri në rikthimin e njësisë në operim, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike.
Lidhur me raportimet se aktualisht në operim është vetëm një njësi nga gjithsej pesë, KEK sqaroi se këto interpretime janë të pjesshme dhe nuk pasqyrojnë gjendjen reale të sistemit prodhues. Sipas njoftimit, aktualisht tri njësi (B1, B2 dhe A5) ndodhen në remont të rregullt dhe në proces të zbatimit të projekteve madhore të rehabilitimit dhe modernizimit, konform Bilancit Vjetor Energjetik.



















