Abelard Tahiri ka njoftuar se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit. Ai tha se do të vazhdojë ta mbështesë Bedri Hamzën dhe Partinë Demokratike të Kosovës në synimin për fitore, duke theksuar orientimin euroatlantik dhe forcimin e bashkëpunimit me SHBA-në dhe BE-në.
Tahiri falënderoi votuesit dhe përkrahësit për besimin e deritanishëm, duke shtuar se angazhimi i tij politik do të vazhdojë edhe jashtë listës zgjedhore.
Reagimi i plotë:
Dëshiroj t’ju njoftoj se në zgjedhjet e 7 qershorit nuk do të jem në listën e kandidatëve për deputet të Republikës së Kosovës.
Do të jem pranë Kryeministrit Bedri Hamza, duke mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës për të arritur fitoren e merituar, një fitore që do ta çojë Kosovën përpara në rrugën e saj euroatlantike dhe do të forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj çdo votuesi dhe përkrahësi të Partisë Demokratike të Kosovës për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Përkushtimi im ndaj vlerave demokratike dhe përmirësimit të shoqërisë vazhdon, edhe pa qenë pjesë e listës zgjedhore.
Faleminderit nga zemra për çdo mbështetje dhe besim!




















