Kur ishte hera e fundit që keni bërë dush?
Nëse jeni si shumica e njerëzve, përgjigjja është ndoshta ‘para më pak se 24 orë’.
Nuk ka një protokoll zyrtar se sa shpesh duhet të bëni dush, por sipas Euromonitor International, njerëzit në të gjithë botën – në vende si India, SHBA, Spanja dhe Meksika – të gjithë lahen rreth një herë në ditë (me ose pa shampo).
Në kanalin AskAnAmerican të Reddit, disa komentues të shpeshtë në SHBA thonë se bëjnë dush edhe më shpesh se kaq – deri në dy herë në ditë, varësisht nga ajo se sa shpesh ushtrojnë. Dhe në Brazil, ku temperaturat në disa zona janë jashtëzakonisht të larta, disa njerëz shpëlahen më shumë se 11 herë çdo javë, thotë Euromonitor.
Por a janë vërtet të domosdoshme larjet e shpeshta?
Asnjë e dhënë zyrtare
Akademia Amerikane e Dermatologjisë u jep prindërve këshilla se sa shpesh duhet t’i lajnë fëmijët e tyre, bazuar në atë se sa janë ndotur dhe a mbajnë erë. Nëse nuk janë shumë të ndotur nga loja, rekomandimi është që të bëhet një banjë të paktën një ose dy herë në javë për fëmijët midis moshës 6 dhe 11 vjeç.
Sistemi i tyre i vogël i imunitetit në zhvillim e sipër ka nevojë pak për papastërti (organizma si baktere dhe doza të vogla të viruseve dhe infeksioneve) në mënyrë që të rriten të fortë.
Por sapo kemi arritur moshën 12 vjeç, udhëzimi zyrtar i larjes ndalet. E vërteta është se ne ndoshta nuk duhet të bëjmë dush aq shpesh.
Dushet heqin lagështinë e lëkurës
Sapuni është ndërtuar për të tërhequr papastërtitë dhe vajin nga lëkura dhe për ta larë atë. Shkenca e kësaj magjie të çmendur bazohet në një formulë dypjesëshe: një kombinim i yndyrës ose vajit, plus një substancë alkaline që tretet në ujë (si kripa ose soda e bukës). Të dy skajet e molekulës së sapunit punojnë së bashku për të tërhequr yndyrat dhe vajin nga lëkura dhe në ujë.
Shampo gjithashtu heq vajin esencial (i quajtur sebum) nga flokët, prandaj shumica e ekspertëve të flokëve pajtohen që ju duhet t’i pastroni flokët më së shumti një herë në dy ose tre ditë.
Kur humbja e vajit natyror kombinohet me pastrim të ashpër dhe ujë shumë të nxehtë, një dush i gjatë, i nxehtë dhe me sapun mund të bëhet recetë për lëkurë të thatë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në dimër, kur ajri është më i thatë si brenda ashtu edhe jashtë.
Dëmtimi i lëkurës nga dushi nuk ndalet kur fikni ujin, thotë David Leffell, autor i “Total SKin: The Definitive Guide to Whole Skin Care For Life” dhe shef i kirurgjisë dermatologjike në Yale School of Medicine.
Leffell i tha Business Insider se ndërsa personi largohet nga dushi dhe thahet me një peshqir, lagështia shtesë e lënë në sipërfaqen e lëkurës së tyre humbet në avullim.
Me fjalë të tjera, shtresat e sipërme të lagështisë po tërhiqen nga lëkura juaj ndërsa dilni nga dushi, thotë Leffell. Fatkeqësisht për ata që e duan një dush të nxehtë në vaska, sa më i nxehtë të jetë uji, aq më keq bëhet ky fenomen i thithjes së lagështisë, pasi uji i ngrohtë avullohet edhe më shpejt sesa i ftohtë.
Si ta mbajmë lëkurën të shëndetshme
Leffell ofroi tre këshilla për një dush miqësor ndaj lëkurës:
Mbani temperaturën e ujit jo shumë të nxehtë.
Shpejtësia është më e mirë. Synoni për 3 minuta nën dush, e jo 30. Hidratojeni lëkurën pasi të dilni jashtë, sepse lyerja me losion teksa lëkura është ende e lagur, mund të bllokojë lagështinë.
Teksa disa njerëz shpëlahen me ujë të ftohë në fund të dushit, Leffell tha që mund ta kapërceni atë pjesë, sepse nuk ka ndonjë ndikim të qëndrueshëm në shëndetin e lëkurës.
Sigurisht, askush nuk do t’ju tregojë se çfarë të bëni në intimitetin e banjos suaj, ose të përcaktojë se cili regjim është më i mirë për dushin tuaj. Nëse një shpëlarje ditore ndihet si pjesa më e mirë e zgjimit, atëherë thjesht bëjeni të shkurtër dhe ndiqeni me një rutinë hidratuese.
Nga ana tjetër, nëse thjesht po futeni në ujë çdo ditë sepse të duket sikur duhet, atëherë mos ngurroni të kaloni disa nga ato dushe.
Larja në çdo të dytën ditë është ndoshta shumë shpesh, për aq kohë sa nuk ju vjen erë e pakëndshme.