Ekipi gjerman që ishte duke punuar në remont në KEK është larguar nga zona ku po punonte.
Sipas burimeve të gazetares së Klan Kosovës, Altiana Zogaj, gjatë punimeve që janë bërë nga inxhinierët në elektrofiltra është dëmtuar azbesti, raporton klankosova.tv.
Ky material është kancerogjen, rrjedhimisht ata janë larguar nga vendpunimi ku kanë qenë të angazhuar.
Zëdhënësi i KEK, Skender Bucolli tha për Klan Kosova se situata është nën kontroll dhe nuk ka diçka të rrezikshme.
“Nuk ka diçka të rrezikshme, në kuadër të modernizimit të termocentraleve kemi vërejtur disa grimca gjatë punës dhe për siguri e parandalim kemi larguar punëtorët nga punishtja, nuk ka të afektuar, mostrat janë dërguar për në Gjermani dhe s’kemi asnjë raport më tutje. Situata është në kontroll”, tha ai.
Në anën tjetër Nexhat Llumnica nga Sindikate e re e KEK tha se nuk kanë informatë zyrtare për rastin.
“Ne s’kemi informatë zyrtare, gjermanët kanë bërë një raport se kemi. S’mundemi me ditë çka ka ndodhur, e kemi kërkuar raportin pasi po flitet se ka ndodh ashtu. Puntorët e Kosova B s’kane pas probleme, ata gjermanët po”, tha Llumnica.











