Ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga policia zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb, sipas televizionit publik zviceran.
Siç shkruan ky medium, Dick Marty, që njihet si autor i raportit që akuzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, në dhjetor të 2020-s kishte marrë një kërcënim dhe menjëherë ishte vënë nën mbrojtje të policisë zvicerane.
Sipas autoriteteve, kërcënimi ndaj tij qe konsideruar në shkallën më të lartë.
Siç shkruan “RTS.CH”, Dick Marty, ka thënë se “kërcënimi me gjasë ka ardhur nga qarqet të caktuara të shërbimit inteligjent serb, që ka kërkuar nga bota e krimit, vrasës profesionist, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve”.
Marty ka thënë se bëhet fjalë për “veteranë të specializuar në vrasje me porosi dhe që s’ka nevojë për pagesa të majme që të heqin qafe dikë”.
Hulumtimi i medias zvicerane ka nxjerrë një informatë që ishte siguruar nga shërbimi inteligjent i Zvicrës. Një burim kishte informuar këtë agjenci për një dokument në të cilin thuhej se “Dick Marty duhet të vritet me urdhra të shërbimit sekret serb”.
“Misioni duhej t’u jepej shtetasve serbë që për kohë të gjatë kanë kryer misione të tilla për shërbimin sekret dhe që janë të trajnuar nga ta, dhe që janë ‘profesionistë’ që do të kryenin vrasjen ‘pa lënë asnjë shenjë’”, thuhej në informatën që kishte ngritur alarmin tek autoritetet zvicerane. Siç thuhet aty, gjithçka kishte qenë me qëllimin që të shfrytëzohej rasti për të diskredituar Kosovën.
Megjithatë, siç raporton televizioni publik zviceran, Zvicra ende s’ka marrë asnjë lëvizje diplomatike karshi Beogradit.