Demokracia në Veprim sot ka mbajtur konferencë ku ka shpalosur vlerësimin e saj mbi periudhën parazgjedhore, zhvillimin e fushatës zgjedhore dhe planin për vëzhgimin e Ditës së Zgjedhjeve.
Në njoftim thuhet se, vlerësimet e DnV’së bazohen në monitorimin sistematik të procesit zgjedhor, përfshirë fushatën, punën e KQZ-së në administrimin e zgjedhjeve, monitorimin e mediave tradicionale, dhe monitorimin e aktiviteteve, përkatësisht shpenzimeve të subjekteve dhe kandidatëve në rrjetet sociale.
‘’ Megjithatë, pabarazia në garën zgjedhore ka mbetur një nga shqetësimet kryesore të evidentuara gjatë kësaj periudhe. Veprime dhe vendime të institucioneve publike me ndikim elektoral, para fillimit të fushatës, kanë ndikuar në perceptimin e barazisë së mundësive ndërmjet konkurrentëve politikë’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Tutje, në komunikatë, thuhet edhe se, shqetësim i veçantë është vazhdimi i trendit të dezinformimit dhe shpërndarjes së informacionit të paverifikuar, veçanërisht në rrjetet sociale, dukuri e cila, siç thuhet nga DNV, cenon cilësinë e debatit publik dhe ndikojnë në të drejtën e qytetarëve për të marrë vendime të informuara.
‘’ Janë monitoruar rreth 500 profile në rrjetet sociale, përfshirë profilet zyrtare të partive kryesore politike (LVV, PDK, LDK, AAK dhe PSD), të gjithë kandidatët e tyre, si dhe kandidatët e dy subjekteve politike nga komuniteti serb. Vetëm gjatë javës së fundit të fushatës janë evidentuar shpenzime për sponsorizim në vlerë prej mbi 100,000 euro. Gjatë periudhës së monitorimit janë evidentuar rreth 10 mijë postime në rrjetin social Facebook. Prej tyre, afërsisht 20% kanë qenë postime të bazuara në prodhim/produksion video, çka përfaqëson një formë relativisht të re dhe më të kushtueshme të fushatës zgjedhore. Mbi një e treta e numrit të përgjithshëm të postimeve kanë qenë të sponsorizuara, me vlera që variojnë nga 100 deri në 1,000 euro për postim’’, shtohet në komunikatë.
Komunikata:
DNV me plan të detajuar për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve – pas një fushate të ngjeshur me rivalitet të theksuar politik
Në prag të ditës së votimit për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 7 qershorit, koalicioni Demokracia në Veprim (DnV) sot mbajti konferencë për media ku shpalosi vlerësimin e saj mbi periudhën parazgjedhore, zhvillimin e fushatës zgjedhore dhe planin për vëzhgimin e Ditës së Zgjedhjeve.
Vlerësimet e DnV-së bazohen në monitorimin sistematik të procesit zgjedhor, përfshirë fushatën, punën e KQZ-së në administrimin e zgjedhjeve, monitorimin e mediave tradicionale, dhe monitorimin e aktiviteteve, përkatësisht shpenzimeve të subjekteve dhe kandidatëve në rrjetet sociale.
Vlerësimi i përgjithshëm i fushatës zgjedhore
Në përgjithësi, fushata zgjedhore është zhvilluar në një ambient konkurrues dhe kryesisht të qetë, duke u mundësuar subjekteve politike dhe kandidatëve të paraqesin ofertat e tyre para qytetarëve. Gara zgjedhore ka qenë e hapur për subjektet politike dhe komunitetet, duke reflektuar pluralizmin politik dhe standardet themelore të një procesi demokratik.
Subjektet politike kanë pasur mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre zgjedhore dhe të komunikojnë me votuesit në të gjithë territorin e vendit, përmes mobilizimeve në terren dhe përmes kampanjave digjitale.
Megjithatë, pabarazia në garën zgjedhore ka mbetur një nga shqetësimet kryesore të evidentuara gjatë kësaj periudhe. Veprime dhe vendime të institucioneve publike me ndikim elektoral, para fillimit të fushatës, kanë ndikuar në perceptimin e barazisë së mundësive ndërmjet konkurrentëve politikë.
Në përgjithësi, fushata është karakterizuar më shumë nga promovimi i liderëve politikë dhe mesazheve elektorale sesa nga prezantimi i kandidatëve individualë. Është poashtu pozitive që në këtë fushatë nuk është shënuar ndonjë incident i theksuar




















