Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj debatit publik për projektet e investimit në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se asnjë pjesë e territorit shqiptar nuk është nxjerrë në shitje dhe se të gjitha procedurat po zhvillohen në përputhje me ligjin.
Sipas tij, Ishulli i Sazanit mbetet pronë shtetërore dhe nuk është menduar asnjëherë për shitje. Modeli i parashikuar i zhvillimit turistik bazohet në përfshirjen e shtetit si palë në investim, ndërsa negociatat me investitorët vazhdojnë dhe ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.
Për sa i përket projektit në Zvërnec, Rama theksoi se toka ku parashikohet investimi është pronë private e regjistruar në kadastër prej vitesh dhe është blerë nga investitorët përmes transaksioneve ligjore me pronarët e regjistruar. Pretendimet e palëve të tjera për pronësinë e zonës janë në shqyrtim gjyqësor.
Ai sqaroi se projekti ka kaluar nëpër disa faza shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Fillimisht, masterplani i paraqitur në vitin 2024 u kthye për rishikim, ndërsa në mars 2026 u miratua leja zhvillimore, e cila nuk përbën leje ndërtimi dhe nuk autorizon nisjen e punimeve.
Ndërkohë, projekti i është nënshtruar procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Më 15 maj 2026, autoritetet vendosën që ai të kalojë në një Vlerësim të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, i cili do të analizojë efektet e mundshme mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet bregdetare dhe lagunore, si dhe qëndrueshmërinë afatgjatë mjedisore.
Rama ka hedhur poshtë pretendimet se zona e mbrojtur “Pishë Poro – Nartë” ka humbur statusin e saj për t’i hapur rrugë investimit. Sipas tij, zona vazhdon të mbetet “Peizazh i Mbrojtur”, një kategori që lejon zhvillime të caktuara vetëm në përputhje me kriteret ligjore dhe mjedisore.
Në përfundim, Rama theksoi se përpara çdo lejeje ndërtimi duhet të përfundojnë të gjitha procedurat teknike, mjedisore dhe ligjore, ndërsa vendimmarrjet e mëtejshme do të varen nga rezultatet e vlerësimeve dhe analizave përkatëse.



















