Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në inaugurimin e muralit “Çast” në Mitrovicë, një vepër artistike që, sipas saj, i kushtohet kujtesës kolektive dhe qëndresës së të mbijetuarve të luftës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Jahjaga tha se “Mitrovicës iu shtua një lulëkuqe”, duke iu referuar muralit të ri të inauguruar në prani të ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, zëvendësministrit Agon Dobruna dhe ambasadorit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
“Sakrifica e tyre, themeli i lirisë sonë! Mitrovicës ju shtua një lulëkuqe, ajo e muralit Çast. Nën prezencën e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, Kryetarit të Mitrovicës së Jugut, z. Faton Peci, zv. Ministrit për Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, z. Agon Dobruna si dhe Ambsadorit të Luksemburgut në Kosovë, z. Eric Dietz, Fondacioni Jahjaga bëri inaugurimin e muralit Çast”, ka shkruar Jahjaga.
Ajo theksoi se kjo vepër artistike përfaqëson një simbol të ruajtjes së kujtesës dhe respektit për të mbijetuarit.
“Kjo ditë, ky mural, është vulë e ruajtjes së memories kolektive, e bashkimit tonë si shoqëri në nderim të qëndresës së të mbijetuarve tanë”, u shpreh ajo.
Jahjaga falënderoi kryetarin e komunës dhe ekipin e tij për realizimin e projektit.
“Falenderoj nga zemra Kryetarin Peci dhe ekipen e tij për përkushtimin në realizimin e kësaj iniciative. Ma gëzofsh lulëkuqen Mitrovicë!”, shtoi Jahjaga.



















