Mbrojtësi brazilian i Real Madridit, Marcelo ka konfirmuar se të shtunën luajti ndeshjen e tij të fundit me skuadrën Los Blancos, pasi fitoi titullin e 14-të të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit në Stade de France.
Marcelo largohet nga Casa Blanca si lojtari me më shumë tituj në historinë e tij e klubit mbretëror, pasi ka fituar plot 25 trofe.
“Është një moment shumë i bukur. Kur je kapiten i parë, ëndërron të ngritësh kupën dhe unë jam bërë i vetmi brazilian që ngriti një Ligë të Kampionëve si kapiten i Real Madridit”, ka thënë fillimisht Marcelo pas ndeshjes.
Megjithatë, lajmi nuk është fundi i karrierës së brazilianit, i cili në moshën 34-vjeçare do të kërkojë të vazhdojë karrierën diku tjetër. Pavarësisht se ishte një anëtar historik i ekipit, Marcelo ruajti përulësinë e tij, duke shpjeguar se ai ndihet si një tjetër anëtar i ekipit:
“Emocioni është brutal, ishte ndeshja ime e fundit me Real Madridin. Por, jam shumë i lumtur. Nuk është ditë trishtimi, po largohem me shumë gëzim, falënderues ndaj tifozëve dhe netët magjike që kam përjetuar në Bernabeu”, përfundoi braziliani./Telegrafi