Udhëtarë që kalojnë tranzit nëpër Serbi thonë se automjetet me targa të huaja po ndalohen për kontrolle të detajuara, ndërsa në disa raste, sipas tyre, po kontrollohen edhe telefonat celularë.
Me fillimin e sezonit të pushimeve verore, mijëra mërgimtarë nga Zvicra dhe vende të tjera të Evropës po marrin rrugën drejt Kosovës dhe Shqipërisë. Krahas fluksit të madh të udhëtimeve, janë shtuar edhe shqetësimet e disa udhëtarëve që kalojnë tranzit nëpër Serbi.
Disa mërgimtarë kanë raportuar se gjatë ditëve të fundit janë përballur me kontrolle të detajuara nga autoritetet serbe në pikat kufitare dhe gjatë rrugës.
Njëri prej tyre, i cili udhëtoi së fundmi drejt Kosovës, tha se automjeti i tij me targa të huaja u ndalua për kontroll. Sipas dëshmisë së tij, autoritetet kërkuan të kontrollonin edhe telefonin celular, përfshirë profilet në rrjetet sociale, me vëmendje të veçantë ndaj publikimeve me përmbajtje politike ose simboleve kombëtare.
I njëjti udhëtar tha se në pikën kufitare të Batrovcit automjetet me targa të huaja po i nënshtroheshin kontrolleve një nga një, gjë që, sipas tij, krijoi kolona të gjata pritjeje. Ai pretendon se asnjë automjet me targa të huaja nuk lejohej të kalonte pa një kontroll të detajuar.
Këto raportime kanë rritur shqetësimin te një pjesë e mërgimtarëve që po planifikojnë udhëtimin drejt vendlindjes gjatë javëve në vijim.
Për këtë arsye, disa bashkatdhetarë u bëjnë thirrje mërgimtarëve të tregojnë kujdes gjatë udhëtimit dhe, nëse kanë mundësi, të shqyrtojnë itinerare alternative për të shmangur kalimin tranzit nëpër Serbi.
Me rritjen e numrit të udhëtimeve gjatë muajve të verës, udhëtarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare të autoriteteve kompetente dhe të informohen për situatën në pikat kufitare përpara nisjes.




















