Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) përshëndet arritjen e marrëveshjes ndërmjet fermerëve të qumështit dhe Ministrisë së Bujqësisë, si dhe rifillimin e grumbullimit të qumështit nga kompania Vita. Ky është një zhvillim pozitiv që u jep frymëmarrje fermerëve, industrisë së përpunimit të qumështit dhe ekonomisë vendore.
Megjithatë, AKB shtron pyetjen legjitime: Pse u desh të pritej deri te protestat për t’u dëgjuar zëri i fermerëve? Nëse dialogu institucional do të kishte funksionuar me kohë, do të ishin shmangur tensionet, humbjet financiare, derdhja e qumështit, pasiguria e fermerëve dhe dëmet që pësoi zinxhiri i prodhimit vendor gjatë javës së kaluar.
Institucionet kanë për detyrë të parandalojnë krizat, jo të reagojnë vetëm pasi ato shpërthejnë. Fermerët nuk duhet të detyrohen të protestojnë për të fituar të drejtat që u takojnë. Dialogu, profesionalizmi dhe vendimmarrja në kohë duhet të jenë parimet mbi të cilat ndërtohen politikat bujqësore.
AKB kërkon nga Ministria e Bujqësisë që të analizojë seriozisht këtë rast, të nxjerrë përgjegjësitë institucionale dhe të krijojë mekanizma të përhershëm bashkëpunimi me fermerët, përpunuesit dhe përfaqësuesit e biznesit, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten.
Çdo ditë bllokadë i kushton fermerit të ardhura, industrisë humbje, konsumatorit pasiguri dhe ekonomisë dëmtim të besimit. Këto janë kosto që mund dhe duhet të shmangen me institucione që dëgjojnë dhe veprojnë në kohë.
AKB do të vazhdojë të mbështesë fermerët, prodhuesit dhe bizneset vendore, duke kërkuar politika të qëndrueshme që mbrojnë prodhimin vendor, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Agim Shahini, Kryetar i AKB-së ths se një marrëveshje e arritur me dialog është gjithmonë më e vlefshme se një zgjidhje e imponuar pas protestave. Institucionet duhet t’i dëgjojnë fermerët para se ata të dalin në rrugë, sepse koha dhe humbjet ekonomike nuk i kthen më askush.




















