Muaji shtator pritet të jetë përcaktues për të ardhmen politike të vendit. Brenda kësaj periudhe do të bëhet e qartë nëse partitë politike do të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja apo nëse Kosova do të përballet me zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
Certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është kusht për fillimin e afateve kushtetuese që lidhen me konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Në KQZ bëjnë të ditur se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme, e cila deri të mërkurën duhet të vendosë për ankesat e paraqitura.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura për rezultatet e shpallura më 27 qershor. Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Ndërkaq, nëse vendimet përmbajnë obligime për KQZ-në, ato fillimisht do të zbatohen dhe më pas do të procedohet me certifikimin e rezultateve”.

Hulumtuesi në zyrën ligjore të Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se pas certifikimit të rezultateve fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese. Sipas tij, brenda 30 ditëve duhet të thirret seanca konstituive e kuvendit, ku zgjedhen kryetari dhe pesë nënkryetarët e kuvendit. Vetëm pas konstituimit të kuvendit mund të vazhdohet me procedurat për zgjedhjen e institucioneve të tjera.

“Seanca konstituive duhet të thirret jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve. Në atë seancë zgjidhen kryetari dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit. Pas përmbylljes së konstituimit dhe nëse nuk ka pengesa të tjera, hapet rruga për procedurat e mëtejshme kushtetuese.”
Ndërkaq, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, vlerëson se vonesat në formimin e institucioneve po e thellojnë pasigurinë politike dhe po ndikojnë negativisht në funksionimin normal të shtetit. Sipas tij, legjislatura e re do të përballet me sfida të shumta, ndërsa zvarritja e procesit mund të ndikojë edhe në agjendën e reformave dhe integrimeve evropiane, tha Bugaqku për rtv21.

“Konstituimi i kuvendit duhet të ndodhë sa më shpejt, sepse nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të zvarritet. Kryetari i kuvendit i takon subjektit më të madh politik dhe përgjegjësia për ta nisur procesin është e qartë”, tha Kolshi

Nëse brenda afatit të paraparë nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja. Pikërisht për këtë arsye, hulumtuesit konsiderojnë se shtatori do të jetë muaj vendimtar për tejkalimin e krizës politike.

“Nëse arrihet një marrëveshje politike, nuk është e pamundur që procesi i formimit të institucioneve të zhvillohet si një pako. Në të kundërtën, nëse skadon afati kushtetues pa u zgjedhur presidenti, vendi do të shkojë në zgjedhje”, shtoi Bugaqku

“Nga dita e certifikimit të rezultateve fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese. Nëse brenda 60 ditëve nuk zgjidhet presidenti, atëherë vendi hyn në një situatë që çon drejt zgjedhjeve të reja.”
Ndërkohë, subjekti fitues i zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk ka nisur zyrtarisht bisedimet me partitë e tjera parlamentare për arritjen e një marrëveshjeje politike, duke bërë që procesi i formimit të institucioneve të mbetet i paqartë, tha Kolshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts