Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë ndaj katër të pandehurve të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale dhe veprimtari të dyshuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas njoftimit të SPAK, në gjykim janë dërguar shtetasit D.R.Iriarte, M.M.Manole, A.R.Castillo dhe D.P.

Hetimi i Prokurorisë së Posaçme ka evidentuar se të pandehurit dyshohet se kanë krijuar dhe përdorur disa shoqëri tregtare.

Sipas SPAK, këto shoqëri dyshohet se janë përdorur si mekanizma për futjen në ekonominë formale të fondeve me origjinë të dyshuar kriminale. Hetimet kanë zbuluar transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja.

Në fokus të hetimit ka qenë veçanërisht shoqëria “Wortend” sh.p.k., e cila, sipas Prokurorisë së Posaçme, ka realizuar qarkullime financiare të larta që nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike të saj.

SPAK bën të ditur se janë konstatuar edhe kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje pasurish të paluajtshme dhe automjetesh me vlerë të lartë.

Një pjesë e fondeve, sipas hetimit, janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, me vlerë të deklaruar 1 milion e 621 mijë e 200 euro. Nga ekspertiza vlerësuese ka rezultuar se vlera e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se ajo e deklaruar në kontratë.

Gjatë hetimit është administruar edhe informacion nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, ku rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.

Sipas SPAK, Domingo Romillo Iriarte dyshohet se ka pasur rol drejtues dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë tregtare, orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.

Ndërkohë, Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë marrë pjesë përmes roleve të tyre formale në shoqëritë “Wortnova” dhe “Wortend”, duke kontribuar në krijimin e pamjes së një aktiviteti të ligjshëm ekonomik dhe në qarkullimin e fondeve.

Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës përmes veprimeve administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri, përfshirë sigurimin e adresave për shoqëritë tregtare dhe kryerjen e pagesave në emër të tyre.

SPAK njofton se mbi pasuritë në pronësi të Domingo Romillo Iriarte, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manole është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar se provat e administruara janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq ndaj katër të pandehurve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts