Liderja e së djathtës franceze, Marine Le Pen (57), ka marrë një vendim të ri nga gjykata e apelit, i cili mund t’i hapë rrugën kandidimit në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027.
Gjykata e dënoi Le Pen me tre vjet burg, prej të cilave një vit do ta vuajë me byzylyk elektronik, ndërsa dy vitet e tjera janë me kusht.
Po ashtu, asaj i është ndaluar ushtrimi i së drejtës për t’u zgjedhur për 45 muaj, por 30 prej tyre janë me kusht. Kjo do të thotë se ndalimi efektiv zgjat vetëm 15 muaj, periudhë e cila, për shkak të kohës së kaluar që nga vendimi fillestar, mund të përfundojë para zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për fundin e prillit 2027.
Në teori, kjo i mundëson Le Pen të kandidojë për presidente. Nëse do të fitonte zgjedhjet, ajo madje mund të ushtronte detyrën duke mbajtur ende byzylykun elektronik.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Le Pen do të hyjë në garë. Ajo kishte deklaruar më herët se një fushatë zgjedhore do të ishte e pamundur nëse do të detyrohej të mbante byzylyk elektronik.
Marine Le Pen pritet të sqarojë qëndrimin e saj mbrëmjen e sotme, në orën 20:00, gjatë edicionit qendror të lajmeve në televizionin francez TF1.




















