Festivali “Beerfest Kosova” i paraparë të mbahet më 24 deri 26 qershor, detyrohet që të anulojë mbajtjen e festivalit, ngase festivali nuk po lejohet të mbahet në lokacionin e paraparë.
Në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që u mbajt pasdite të hënën, me 13 qershor, u kumtua vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.
“Kërkesat tona zyrtare për leje dhe pëlqime relevante për mbajtjen e këtij festivali në lokacionin e cekur, janë bërë në fillim të muajit Mars. Deri në takimin e përbashkët që e kishim, nuk kemi pas asnjë përgjigje, përkundër insistimit tonë, duke na mbajtur kështu peng për lokacion.
Për neve si organizator ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i pa arsyeshëm.
Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajt 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme.
Sido që të jetë, jemi shumë vonë për çfarëdo zgjidhje tjetër, prandaj jemi të detyruar që të anulojmë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë.
Beerfest Kosova dhe MODUS, si organizator i festivalit tani është në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja.
Ne do t’ ju mbajmë të informuar për çfarëdo zhvillimi që do të kemi në këtë drejtim” thuhet në njoftimin e organizatorëve.