Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se i ka kthyer përgjigje Albin Kurtit të Vetëvendosjes pas ftesës së këtij të fundit për t’i thirrur liderët e partive politike për të biseduar për konstituimin e institucioneve.
Ftesa e Kurtit e caktonte ndërtesën e qeverisë së Kosovës si vendndodhje për takim, për çka Hamza tha se në përgjigjen ndaj tij i ka kërkuar që takimi të ndodh në ambiente të Kuvendit të Kosovës në ora 09:00.
“Prandaj duke e ditur seriozitetin e situatës, mendoj që secili prej nesh duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme e serioze, duke filluar prej ftesës. Duke filluar prej ftesës, ftesa duhet të dërgohet në mënyrën, që me u dërguar nga kryetari i partisë më të madhe të mundshme të siguruar në Kuvendin e Kosovës, dhe të mbahet në objektet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Datat e propozuara ka qenë sot, ora 17:00, dhe janë datat nesër në ora 8:00, në ora 9:00, ose ora 18:00. Sigurisht se unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se me folë për pozitat, e kam thënë dhe po e ripërsëris, është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për qeverisjen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i Partisë Demokratike të Kosovës t’i ketë një numër të caktuar të ministrive, ta ketë një kryetar të Kuvendit apo presidentin apo çfarëdo qoftë”, tha Hamza.




















