Barcelona po vazhdon të ushtrojë presion për transferimin e Julian Alvarezit, por klubi katalunas është duke përgatitur edhe alternativa të tjera në rast se Ferran Torres largohet gjatë kësaj vere.
Nëse sulmuesi spanjoll vendos të pranojë një ofertë dhe të largohet, Barça do të mbetej përkohësisht pa një sulmues klasik në repartin ofensiv, gjë që do ta detyronte klubin të ndërhyjë në merkato.
Sipas raportimeve të mediumit “Sport” objektivi kryesor mbetet Julian Alvarez. Në klub ekziston bindja se transferimi i argjentinasit do të realizohet pas përfundimit të Kupës së Botës, pasi lojtari nuk dëshiron të vazhdojë te Atletico Madridi dhe pritet të vazhdojë presionin për t’u larguar.
Megjithatë, drejtuesit katalunas po shqyrtojnë edhe mundësinë e afrimit të një sulmuesi tjetër si alternativë në repartin ofensiv. Në listën e emrave që po monitorohen janë sulmuesi dardan i Hoffenheimit, Fisnik Asllani dhe Dusan Vlahovic.
Barcelona është në pritje të vendimit përfundimtar të Ferran Torresit. PSG vazhdon ta kërkojë me ngulm dhe oferta e klubit francez thuhet se e ka tunduar lojtarin.
Nëse ai qëndron, atëherë klubi do të nisë negociatat për rinovimin e kontratës së tij, e cila skadon në vitin 2027.
Ndërkohë, drejtori sportiv Deco dhe stafi drejtues e kishin parashikuar këtë skenar dhe prej kohësh kanë punuar për përforcimin e pozitës së sulmuesit qendror.
Një tjetër opsion që do të testohet gjatë fazës përgatitore është talenti egjiptian Hamza Abdelkarim. Ai do të stërvitet me ekipin e parë nën urdhrat e Hansi Flickut, por pjesën më të madhe të sezonit pritet ta kalojë me Barcelonën B për të vazhduar zhvillimin e tij.
Sa i përket Vlahovicit, sulmuesi serb është ofruar te Barcelona përmes përfaqësuesve të tij. Fillimisht kërkesat financiare ishin shumë të larta për klubin katalunas, si për pagën ashtu edhe për bonuset e nënshkrimit dhe komisionet, por së fundmi thuhet se lojtari ka ulur pretendimet dhe situata mund të rihapet nëse kushtet ekonomike bëhen të favorshme.
Një emër që pëlqehet shumë nga drejtuesit sportivë është edhe Fisnik Asllani. Sulmuesi kosovar, ka shkëlqyer në Bundesligë dhe ka një klauzolë lirimi prej 29 milionë eurosh.
Borussia Dortmundi po punon për transferimin e tij, por sipas raportit, Asllani ka zvarritur bisedimet pasi është në pritje të një lëvizjeje të mundshme nga Barcelona.
Klubi katalunas thuhet se ka zhvilluar kontakte me lojtarin dhe rrethin e tij, të cilët kanë bërë të qartë se dëshira e Asllanit është të transferohet në “Camp Nou”.
Megjithatë, vendimi përfundimtar do t’i takojë trajnerit Hansi Flick, i cili do të vendosë nëse sulmuesi do të jetë pjesë e projektit të Barcelonës për sezonin e ri.




















