Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka dënuar deklaratat e ministres serbe Snezana Paunovic, përfshirë referencat e saj ndaj spastrimit etnik të Kosovës, duke i cilësuar ato si “krejtësisht të papranueshme” dhe pa vend në shoqërinë e sotme.
Në një deklaratë, ambasada thekson se në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike, deklarata të tilla rrezikojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione.
“Udhëheqësit politikë me përgjegjësi duhet ta refuzojnë një gjuhë të tillë qartë dhe pa asnjë mëdyshje”, thuhet në deklaratë.
Ambasada britanike po ashtu vuri në dukje se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është distancuar nga komentet e ministres Paunovic.




















