Ish-i dërguari special i SHBA-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, ka vlerësuar se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, “nuk është lider i mirë për popullin e Kosovës” dhe shtoi se liderët e tjerë ishin më të mirë, si p.sh. ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Nuk është vetëm mendimi im, besoj se edhe qeveria aktuale amerikane e sheh në këtë mënyrë. Mos harroni se ai (Kurti) shkoi në Uashington, nuk arriti as në Shtëpinë e Bardhë, nuk hyri brenda. Ai ishte matanë rrugës me stafin e administratës”, tha Grenell për gazeten serbe “Politika”.
Grenell, i cili ishte i dërguar i posaçëm gjatë mandatit të presidentit amerikan Donald Trump, vlerësoi se një gjë e tillë nuk mund të ndodhte nën drejtimin e Trump dhe se do të organizoheshin takime të nivelit të lartë dhe do të dërgoheshin mesazhe të forta dhe të qarta.
Kur është fjala për ish-presidentin e Kosovës, Thaçi, Grenell vlerëson se Evropa nuk është dashur ta vendosë atë në Hagë, ku po gjykohet si një nga liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për krime lufte në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.
“Populli i Kosovës, nëse dëshiron të ecë përpara, e di se ne kemi bërë shumë më tepër përparim kur Thaçi ishte president”, tha ai.
Grenell shtoi se administrata e presidentit aktual të SHBA-së Joseph Biden deklaroi se nuk dëshiron të përfshihet në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe shtoi se “pret shumë biseda dhe pak veprime” nga BE-ja, e cila tani është në krye.
Duke folur për Marrëveshjen e Washingtonit, ai vlerësoi se disa pjesë janë shkelur, pjesë ende po tentojnë të zbatohen, por se “nuk ka udhëheqje amerikane, nuk ka presion për ta zbatuar atë”.